LSDM kritikon Mickoskin dhe Klekovskin për organizimin e kinemasë në Draçevë

LSDM ka reaguar ndaj organizimit të një aktiviteti kinematografik në ambient të hapur në Draçevë, zonë në të cilën është shpallur epidemi pas rasteve me Ethet e Nilit Perëndimor.

Nga LSDM pretendojnë se aktiviteti është organizuar në një kohë kur, sipas tyre, situata epidemiologjike në komunën e Kisella Vodës mbetet shqetësuese. Partia opozitare i ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Shëndetësisë Sasho Klekovski për, siç thotë, menaxhim joprofesional të situatës.

Sipas LSDM-së, në zonë janë konfirmuar 35 raste, ndërsa raportohen edhe 3 viktima dhe 6 persona në gjendje kritike në kujdes intensiv.

Opozita pretendon se masat parandaluese kundër mushkonjave nuk janë ndërmarrë me kohë dhe se autoritetet duhet të kishin reaguar më herët.

LSDM e ka krahasuar situatën me menaxhimin e krizës së ujit në Gostivar dhe ka kërkuar forcimin e masave për mbrojtjen e qytetarëve në zonat e prekura nga epidemia.