Kryeministri Hristijan Mickoski ka konfirmuar se po zhvillohet një hetim që përfshin ish-drejtorin e Administratës Doganore dhe ish-kryetarin e Komunës së Karposhit nga LSDM-ja, Stefan Bogoev.
Sipas Mickoskit, në këtë rast janë të përfshirë edhe disa punonjës të Administratës Doganore, si dhe një person që ka vepruar si ndërmjetës. Kryeministri tha se bëhet fjalë për një individ që ka pasur lidhje të afërta me pushtetin e kaluar dhe që, sipas informacioneve të disponueshme, ka luajtur rol në lehtësimin e veprimeve të kundërligjshme.
Ai bëri të ditur se hetimet nuk do të ndalen vetëm në këtë rast, duke paralajmëruar se aksioni pritet të zgjerohet edhe më tej në periudhën e ardhshme.
Mickoski theksoi se disa institucione shtetërore po përgatiten të ndërmarrin veprime të ngjashme lidhur me parregullsi të evidentuara në raportet e auditimit, të cilat, sipas tij, përmbajnë indicie për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Megjithatë, kryeministri nënvizoi se procedura është ende në fazën e hetimit dhe se duhet respektuar prezumimi i pafajësisë. Ai shtoi se çdo person i përfshirë në procedurë ka të drejtën dhe mundësinë të dëshmojë pafajësinë e tij përpara institucioneve kompetente.
Kujtojmë se një ditë më parë autoritetet njoftuan për një aksion të përbashkët të Drejtorisë së Policisë Financiare dhe Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjatë të cilit u ndaluan disa persona të dyshuar për vepra që lidhen me korrupsionin.
