Debati për pagat e magjistratëve, Rama thërret palët në takim

Kryeministri Edi Rama u ka dërguar zyrtarisht ftesë institucioneve të drejtësisë për një takim më 28 shtator, ku pritet të diskutohet çështja e pagave të magjistratëve.

Ftesa vjen pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve për pagat e magjistratëve, një çështje që ka shkaktuar kundërshtime nga institucionet e drejtësisë. Projektligji u miratua më 18 shtator me 84 vota pro.

Rama ka kërkuar që në tryezë të diskutohet për një zgjidhje afatgjatë, ndërsa sipas reagimit të tij, në takim do të marrin pjesë edhe ekspertë të Këshillit të Evropës dhe të Komisionit Evropian për Efiçencën e Drejtësisë.

Kryeministri ka bërë thirrje për trajtimin e çështjes me “urtësi dhe durim”, duke e konsideruar dialogun të rëndësishëm për funksionimin e institucioneve.

Ndërkohë, magjistratët kanë kundërshtuar formulën e miratuar dhe kanë paralajmëruar ndjekjen e rrugës kushtetuese.