Përplasje mes katër automjeteve në Shkup, disa të lënduar

Më 23 korrik 2026, rreth orës 08:10, në rrugën “8” në vendbanimin Ilinden të Shkupit ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë katër automjete.

Sipas MPB-së, në aksident janë përfshirë automjeti “Toyota” i drejtuar nga V.K. (42) nga Ilindeni, “Volkswagen Golf” i drejtuar nga D.D. (18) nga Shkupi, “Citroën” i drejtuar nga N.V. (32) nga fshati Miladinovc dhe “Fiat” i drejtuar nga S.P.S. (51) nga Shkupi.

Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore kanë pësuar V.K. (42) dhe bashkëudhëtarja e tij R.K. (65) nga Shkupi. Ndërkaq, lëndime trupore kanë marrë edhe T.K. (36), drejtuesi D.D. (18), bashkëudhëtari i tij 17-vjeçar, si dhe N.V. (32).

Lëndimet janë konstatuar në Qendrën e Urgjencës pranë kompleksit të klinikave “Nënë Tereza”, në Spitalin “Shën Naum Ohridski” dhe në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” në Shkup. Një ekip i SPB Shkup ka kryer këqyrjen në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit janë në vijim.