Rama: Nuk do të përdorim veton kundër Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria nuk do ta përdorë të drejtën e vetos kundër Maqedonisë së Veriut, edhe nëse bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Deklaratën ai e bëri gjatë aktivitetit RinCamp 2026, që po zhvillohet në Jalë, ku marrin pjesë të rinj nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një studenti nga Shkupi mbi mundësinë e një vetoje shqiptare ndaj integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, Rama u shpreh se ka qenë vazhdimisht kundër përdorimit të këtij mekanizmi në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, vendosja e vetos vetëm sa vështirëson procesin e integrimit dhe nuk sjell përfitime për vendet e rajonit. Ai theksoi se e ardhmja evropiane e Ballkanit duhet të ndërtohet mbi bashkëpunimin, mbështetjen e ndërsjellë dhe jo mbi pengesa politike.