Kanë kaluar disa muaj nga ndarja nga jeta e këngëtarit Shpat Kasapi, por kujtimi për të vazhdon të jetojë te familjarët, miqtë dhe kolegët e tij.
E ftuar në emisionin “Rudina”, këngëtarja Albulena Ukaj ka ndarë kujtime prekëse nga miqësia dhe bashkëpunimi i fundit me artistin. Ajo zbuloi se biseda e fundit me Shpatin kishte ndodhur vetëm pak ditë para ndarjes së tij nga jeta, teksa diskutonin për publikimin e këngës që kishin realizuar së bashku.
“Tre ditë para se të ndërronte jetë më telefonoi dhe më propozoi që publikimin e këngës ta shtynim për fillim të dhjetorit. Kjo mbeti biseda jonë e fundit”, rrëfeu ajo.
Albulena kujtoi edhe takimin e fundit me këngëtarin në Ferizaj, duke e përshkruar atë si shumë të lumtur, energjik dhe optimist për projektet e tij të ardhshme.
“Ishte i buzëqeshur, fliste vetëm pozitivisht dhe ishte shumë i emocionuar për planet që kishte. Kjo është fotografia që më ka mbetur në mendje”, tha ajo.
Artistja tregoi gjithashtu se e kishte shumë të vështirë të pranonte lajmin për humbjen e tij. Ajo u zgjua nga telefonata dhe mesazhe të shumta, ndërsa në fillim nuk mund ta besonte atë që kishte ndodhur.
Shpat Kasapi u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të suksesshme muzikore dhe kujtime të paharrueshme për publikun shqiptar. Bashkëpunimi me Albulena Ukajn mbetet projekti i tij i fundit artistik.
