E rëndë në Lezhë, një kosovar humb jetën, dy familjarë mbeten të lënduar

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në aksin Lezhë–Milot, ku një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Sipas informacioneve paraprake, viktimë ka mbetur drejtuesi i automjetit, shtetas i Kosovës, i cili nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra nga përplasja.

Ndërkohë, djali dhe motra e viktimës kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku po marrin trajtim mjekësor. Burimet bëjnë të ditur se gjendja e tyre është e qëndrueshme dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa drejtuesi i kamionit të përfshirë në ngjarje është shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale.

Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pasi të përfundojnë veprimet hetimore në vendngjarje.