Moza Ahmeti flet pas fitores në Ferma VIP: “Më emocionoi dashuria e publikut”

Fituesja e edicionit të tretë të Ferma VIP, Moza Ahmeti, ka rrëfyer emocionet e saj të para pas përfundimit të spektaklit dhe rikthimit në jetën e përditshme.

E ftuar në emisionin Post Ferma VIP, ajo tregoi se ditët e para jashtë fermës kanë qenë të veçanta, sidomos për shkak të reagimeve të shumta që ka marrë nga publiku.

“U gëzova shumë që u ktheva në shtëpinë time. Dola për të kryer disa punë dhe njerëzit më thërrisnin në rrugë: ‘Moza, Moza’. Ishte një ndjenjë e bukur, por njëkohësisht kuptova se jeta private nuk është më e njëjtë”, u shpreh ajo.

Moza zbuloi edhe bisedën e parë telefonike që pati me një mik të saj pas përfundimit të spektaklit. Sipas saj, ai e priti me humor duke i thënë: “Një fermë ke lënë, një fermë do të gjesh, sepse macja ka bërë shumë kotele”.

Duke folur për triumfin, Ahmeti theksoi se emocionin më të madh nuk ia ka dhënë çmimi, por mbështetja dhe vlerësimi i publikut.

“Nuk më tronditi fakti që fitova çmimin. Ajo që më preku më shumë ishte se publiku më vlerësoi dhe më dha besimin e tij. Kjo ishte gjëja më e bukur për mua”, tha ajo.

Fituesja e Ferma VIP shtoi se përjetimi në fermë do të mbetet një kujtim i veçantë, të cilin e përshkroi si një ëndërr që do ta mbajë gjatë në mendje.