Nga 1 korriku do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për transportin rrugor ndërkombëtar në Bashkimin Evropian, të cilat prekin drejtpërdrejt pronarët e furgonave dhe automjeteve të lehta komerciale.
Sipas legjislacionit të ri evropian, të gjitha automjetet që kryejnë transport ndërkombëtar mallrash dhe kanë një peshë totale të lejuar, së bashku me rimorkion, nga 2.5 deri në 3.5 tonë, duhet të pajisen me takografë inteligjentë të gjeneratës së dytë (G2V2).
Këto pajisje moderne do të mundësojnë regjistrimin automatik të kalimeve kufitare, vendeve të ngarkimit dhe shkarkimit të mallrave, si dhe aktiviteteve të shoferit gjatë udhëtimit.
Autoritetet evropiane theksojnë se qëllimi i këtyre ndryshimeve është rritja e kontrollit në transportin ndërkombëtar, përmirësimi i sigurisë rrugore dhe garantimi i respektimit të rregullave për kohën e punës dhe pushimit të shoferëve.
Mosrespektimi i këtyre kërkesave mund të sjellë gjoba dhe sanksione për operatorët e transportit që veprojnë në territorin e Bashkimit Evropian.
