Kapet në Aeroportin e Shkupit grabitësi i dyshuar i bastores në Tetovë

Policia ka arrestuar një 26-vjeçar nga Tetova, i dyshuar për përfshirje në një grabitje të ndodhur në një bastore sportive në qytet.

Sipas informacioneve zyrtare, R.Z. (26) është privuar nga liria sot rreth orës 11:30 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga zyrtarët e policisë kufitare.

Ngjarja për të cilën ai dyshohet është raportuar gjatë orëve të para të mëngjesit, kur një punonjës i bastores sportive, G.S. (38) nga Tetova, ka denoncuar se një person e kishte kërcënuar me një mjet të mprehtë dhe kishte marrë paratë e qarkullimit ditor.

Pas masave dhe hetimeve të ndërmarra nga policia, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar, ndërsa procedurat për zbardhjen e plotë të rastit janë në vijim.

Autoritetet njoftojnë se pas përfundimit të dokumentimit të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal përkatës.