Në kuadër të aktiviteteve për 1 Qershorin, në Shkollën Fillore “Ismail Qemali” në Çair u shpalos një mural kushtuar figurës së Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar.
Për këtë ngjarje ka njoftuar kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, i cili tha se shkolla u kthye në një hapësirë festive ku fëmijët u bashkuan me artin dhe historinë.
“Në Shkollën Fillore ‘Ismail Qemali’ 1 Qershori mori ngjyrat e buzëqeshjes, artit dhe mbamendjes historike. Përmes programit të përgatitur nga nxënësit dhe shpalosjes së muralit të Ismail Qemalit, oborri i shkollës u kthye në një hapësirë ku kreativiteti i fëmijëve u takua me figurat që kanë lënë gjurmë në historinë tonë.
Murali i ri sjell para brezave të rinj portretin e njeriut që ngriti flamurin e pavarësisë, ndërsa energjia e fëmijëve i dha këtij përurimi kuptimin më të rëndësishëm, lidhjen mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes.”
