Tërmet 5 ballë në Greqi, banorët dalin të frikësuar nga banesat

Një tërmet me magnitudë rreth 5 ballë të shkallës Rihter është regjistruar paraditen e së mërkurës pranë ishullit Karpathos në Greqi, duke u ndjerë edhe në zonat përreth, përfshirë ishullin e Kasos.

Sipas të dhënave të Institutit Gjeodinamik, lëkundja sizmike ndodhi në orën 11:25, me epiqendër rreth 7 kilometra në jugperëndim të Karpathos dhe me thellësi fokale rreth 15.9 kilometra.

Banorët e Kasos raportuan se tërmeti u shoqërua me një zhurmë të fortë, duke bërë që shumë prej tyre të dilnin jashtë banesave nga frika e pasgoditjeve. Megjithatë, autoritetet lokale kanë konfirmuar se deri më tani nuk janë raportuar dëme materiale apo persona të lënduar.

Kryetari i bashkisë së Kasos, Michalis Erotokritos, deklaroi se lëkundja ishte e fortë, por situata mbetet nën kontroll.

Ndërkohë, ekspertët sizmologë theksojnë se epiqendra e tërmetit nuk lidhet me çarjet sizmike historike të njohura në rajon, por konsiderohet një fenomen lokal. Edhe Instituti Euro-Mesdhetar i Sizmologjisë ka regjistruar tërmetin, duke e vlerësuar me magnitudë 4.9 të shkallës Rihter.

Autoritetet vijojnë të monitorojnë aktivitetin sizmik në zonë, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare.