Momente tmerri në Drugovë, rotvajlerët sulmojnë një nënë dhe dy të mitur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten në fshatin Drugovë të Kërçovës, ku një nënë me dy fëmijët e saj të mitur është sulmuar nga dy qen të racës rotvajler.

Sipas dëshmisë së nënës, qentë fillimisht nisën të lehnin në mënyrë agresive dhe më pas sulmuan fëmijën më të vogël, të cilin ajo e mbante në krahë. Fëmija u tërhoq zvarrë nëpër asfalt dhe për pak përfundoi nën një automjet që frenoi papritur pranë tyre.

“Fëmija u tërhoq zvarrë nëpër bekaton dhe përfundoi pranë rrotës së makinës. Ishte një tmerr i vërtetë”, rrëfen nëna, e cila shton se pronari i qenve nuk tregoi asnjë kujdes apo përgjegjësi pas incidentit.

Nga sulmi, fëmija ka pësuar lëndime në pjesën e fytyrës.

Rastin e ka konfirmuar edhe MPB-ja, e cila njofton se ngjarja është raportuar më 22 maj rreth orës 18:00 në SPB Kërçovë. Sipas policisë, qentë ishin pronë e një personi nga Kërçova dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.

Ky incident rikthen sërish shqetësimin për sigurinë nga qentë agresivë dhe përgjegjësinë e pronarëve të kafshëve shtëpiake.