Një mjek dhe një infermiere janë përballur me kallëzim penal nën dyshimet për kontrabandë dhe mashtrim doganor, pasi tentuan të fusnin në mënyrë të paligjshme 199 flakona Botox në Maqedoninë e Veriut, njoftuan autoritetet doganore.
Sipas të dhënave zyrtare, preparatet ishin deklaruar në dokumentacion si “mostra kozmetike” me vlerë vetëm 80 dollarë, megjithëse vlera reale e tyre arrinte rreth 615 mijë denarë.
Hetimet paraprake tregojnë se mjeku, i cili punon në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, kishte porositur produktet nga një kompani koreane, ndërsa për të shmangur procedurat ligjore, i kishte kërkuar një infermiereje, po ashtu e punësuar në të njëjtën qendër klinike, që dërgesa të regjistrohej në emrin dhe adresën e saj.
Infermierja dyshohet se ka pranuar të jetë përfituese e porosisë dhe të kryejë pagesën përmes llogarisë së saj bankare, duke ndihmuar kështu në realizimin e veprës së dyshuar penale.
Rasti u zbulua nga zyrtarët doganorë gjatë kontrollit të një dërgese postare për import. Edhe pse në faturë figuronin vetëm 10 mostra kozmetike, kontrolli fizik zbuloi 199 flakona Botox, me një vlerë shumë më të lartë nga ajo e deklaruar.
Nga Doganat theksojnë se preparate të tilla nuk mund të importohen pa miratimin paraprak të Agjencisë për Barna dhe Pajisje Mjekësore, MALMED.
Ndërkohë, Prokuroria Publike në Shkup po vazhdon procedurën hetimore dhe ka lëshuar urdhër për kontrolle në tre lokacione të ndryshme në kuadër të zbardhjes së plotë të rastit.
Drejtori i Doganave, Boban Nikollovski, deklaroi se raste të tilla përbëjnë jo vetëm mashtrim ndaj sistemit, por edhe rrezik të mundshëm për shëndetin publik, duke theksuar se institucionet do të vazhdojnë politikën e tolerancës zero ndaj çdo forme të kontrabandës.
