ISHP konfirmon rastin e parë me virusin Zika në Maqedoninë e Veriut

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka konfirmuar rastin e parë të infektimit me virusin Zika në Maqedoninë e Veriut. Sipas autoriteteve shëndetësore, bëhet fjalë për një shtetas të vendit, i cili është infektuar gjatë një udhëtimi në Maldive, pas pickimit nga mushkonjat.

Sipas të dhënave të ISHP-së, personi kishte qëndruar në Maldive nga 20 deri më 28 maj. Pas kthimit në vend dhe shfaqjes së simptomave, ai është paraqitur për trajtim në Klinikën për Sëmundje Infektive.

Më 17 qershor, analizat e kryera në Departamentin e Virologjisë pranë ISHP-së kanë konfirmuar praninë e virusit Zika. Pas konfirmimit të rastit, epidemiologët kanë zhvilluar hetimin epidemiologjik dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme parandaluese.

Autoritetet bëjnë të ditur se janë kryer anketa epidemiologjike, është bërë raportimi zyrtar i rastit, si dhe është realizuar dezinfektimi i zonës përreth vendbanimit të pacientit. Gjithashtu, pacientit i janë dhënë rekomandime për të parandaluar transmetimin e mundshëm seksual të virusit.

Nga Instituti i Shëndetit Publik u bëhet apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, sidomos pas udhëtimeve në vendet tropikale dhe subtropikale. Ata këshillohen të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast se shfaqin simptoma si temperaturë, dhimbje koke, skuqje të lëkurës apo shqetësime neurologjike pas pickimit nga mushkonjat.

ISHP thekson se situata po monitorohet vazhdimisht dhe se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit publik.