Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, është takuar me zëvendësguvernatorin e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Tomas Boçek, me të cilin ka diskutuar për realizimin e projektit për rikonstruksionin dhe modernizimin e institucioneve ndëshkuese-korrektuese në vend.
Projekti, me vlerë prej 46 milionë euro, synon përmirësimin e kushteve në institucionet e ekzekutimit të sanksioneve, përfshirë kushtet për personat e dënuar dhe ata në paraburgim, në përputhje me standardet evropiane dhe parimet për trajtim dinjitoz.
Gjatë takimit është bërë e ditur se aktivitetet po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka theksuar se mbetet e angazhuar për realizimin e projektit dhe krijimin e kushteve më bashkëkohore në institucionet ndëshkuese-korrektuese.
Nga Ministria është theksuar gjithashtu se modernizimi i sistemit penitenciar konsiderohet pjesë e reformave në drejtësi, veçanërisht në aspektin e respektimit të standardeve evropiane dhe dinjitetit njerëzor.
