Qeveria siguron 50 mijë litra ujë çdo ditë për Gostivarin

Pas shpalljes së epidemisë në Gostivar dhe rrethinë, Qeveria ka njoftuar se do të sigurojë 50.000 litra ujë të pijshëm në ditë për qytetarët, derisa të zgjasin masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Sipas njoftimit, shpërndarja e ujit do të bëhet përmes Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, në disa pika të caktuara në Gostivar, përfshirë ndërtesën e ujësjellësit, Shkollën e Mesme Ekonomike, Pyjet e Maqedonisë, ESM-në, parkingun e Spitalit të Përgjithshëm “Ferid Murat” dhe Njësinë Territoriale të Zjarrfikësve.

Qeveria thekson se institucionet kompetente po vazhdojnë kontrollet dhe analizat për të zbuluar shkakun e epidemisë, ndërsa ka paralajmëruar se përgjegjësi do të ketë për këdo që konstatohet se ka shkelur ligjin.

Po ashtu, bëhet e ditur se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur qytetarët deri në normalizimin e plotë të situatës.