Gjesti ndez “Alba Festival” në Zvicër, paralajmëron surprizë për fansat

Artisti nga Peja, Gjesti, ka rikthyer fuqishëm aktivitetin e tij muzikor këtë vit, duke sjellë projekte të reja dhe duke performuar në skena të ndryshme.

Së fundmi, ai ka qenë pjesë e “Alba Festival” në Zvicër, një ngjarje që mbledh çdo vit diasporën shqiptare. Gjatë performancës së tij, Gjesti ka interpretuar hitin “Fuqishëm”, ndërsa publiku është parë duke kënduar dhe kërcyer së bashku me të, duke krijuar një atmosferë të zjarrtë.

Ai ka ndarë edhe një video në Instagram nga performanca, ku shihet reagimi i fortë i fansave gjatë koncertit.

Në fund të postimit, Gjesti ka paralajmëruar edhe një surprizë për ndjekësit e tij, duke shkruar se shumë shpejt do të vijë me diçka të re për publikun.

Ndërkohë, albumi i tij i fundit është pritur mjaft mirë dhe ka marrë reagime pozitive nga fansat dhe dëgjuesit e muzikës së tij.