Komuna e Tetovës ka reaguar lidhur me çështjen e riemërtimit të rrugëve, duke theksuar se ky proces nuk është bërë asnjëherë i plotfuqishëm, pasi vendimi nuk është miratuar nga qeveritë e mëparshme pas vitit 2007.
Sipas reagimit të komunës, për shkak të mosmiratimit në Qeveri, emërtimet e reja nuk janë regjistruar as në Kadastër dhe as në Regjistrin Qendror, duke bërë që ato të mos kenë fuqi juridike.
Nga Komuna e Tetovës theksojnë gjithashtu se gjykatësit shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese, të zgjedhur gjatë mandatit të pushtetit të kaluar, është dashur të tregojnë më shumë kujdes ndaj kësaj çështjeje, sidomos në një periudhë kur komuna pretendon se është pranë përfundimit të procesit të riemërtimit zyrtar të rrugëve.
Në reagim, komuna shpreh shqetësimin se hapja e kësaj procedure mund të ndikojë në krijimin e tensioneve ndëretnike, duke aluduar se pas kësaj situate qëndrojnë motive politike.
