Dhunë në familje në Shkup, Prokuroria hap procedurë ndaj 33-vjeçarit

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur procedurë penale ndaj një 33-vjeçari nga Shkupi, i dyshuar për dhunë të rëndë në familje dhe lëndim trupor ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 20 qershor, ku gjatë një konflikti brenda automjetit, i dyshuari dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe kërcënime ndaj gruas së tij, duke e vendosur atë në rrezik serioz.

Hetimet paraprake tregojnë se situata ka eskaluar gjatë lëvizjes së automjetit, ku viktima, në përpjekje për t’i shpëtuar sulmit, ka hapur derën dhe është hedhur nga makina në rrugë. Edhe pas kësaj, i dyshuari dyshohet se ka tentuar ta rikthejë me forcë në automjet, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Prokuroria ka bërë të ditur se veprimet e tij bien nën nenin 130 të Kodit Penal dhe ka kërkuar masa të rrepta kujdesi, përfshirë ndalimin e kontaktit me viktimën, ndalimin e lëshimit të vendbanimit, dorëzimin e dokumenteve të udhëtimit dhe paraqitje të rregullt në gjykatë.