Edi Rama: Po dëgjojmë mesazhin e protestës, por jo mercenarët nga Prishtina dhe Tetova

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Qeveria do të marrë në konsideratë mesazhet që vijnë nga protestat, duke bërë dallimin mes qytetarëve që protestojnë për shqetësime reale dhe, sipas tij, personave që nuk përfaqësojnë interesin publik.

Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët, Rama tha se në të kaluarën në Bulevard janë vrarë njerëz gjatë protestave, ndërsa sot, sipas tij, ekzistojnë kushtet që qytetarët të protestojnë lirshëm.

Ai gjithashtu pretendoi se në protestë kanë marrë pjesë edhe persona nga Prishtina dhe Tetova, të cilët i cilësoi si “mercenarë” që janë paraqitur si përfaqësues të diasporës.

“Ne po përpiqemi të lexojmë mesazhin e protestës. Protesta nuk është ajo kur vijnë mercenarë nga Prishtina dhe Tetova, që bëjnë si diasporë. Askush nga ne nuk është populli. Populli flet në zgjedhje”, u shpreh Rama.