Dy persona të lënduar në aksidentin pranë Strugës, njëri në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur dje pasdite në rrugën magjistrale Podmolje–Qafë Thanë, në afërsi të Strugës, ku janë përfshirë një veturë, një motoçikletë, dy automjete të parkuara dhe një këmbësor.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:20. Sipas informacioneve, me automjetin “Golf” ka drejtuar një 61-vjeçar nga Radozhda, ndërsa motoçikleta “Kawasaki” drejtohej nga një 20-vjeçar nga Struga.

Në aksident janë përfshirë edhe një “Mercedes” me targa të Shqipërisë dhe një “Crafter” me targa të Strugës, të cilat ishin të parkuara.

Si pasojë e përplasjes, 20-vjeçari me motoçikletë ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim në spitalin “Shën Erazmo” në Ohër.

Lëndime trupore ka pësuar edhe një 61-vjeçar nga Shqipëria, i cili në momentin e aksidentit ishte këmbësor.

Në vendin e ngjarjes është kryer këqyrja nga prokurori publik dhe ekipet policore. Hetimi vijon për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e aksidentit.