Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka bërë deklarata të ashpra lidhur me luftën në Gaza, duke kërkuar vazhdimin dhe intensifikimin e vrasjeve të shënjestruara në territorin palestinez.
Në një podcast me ish-pengun izraelit Rom Braslavski, Ben-Gvir deklaroi se sipas tij në Gaza duhet të eliminohen 30 deri në 40 persona çdo natë. Ai sqaroi se nuk i referohej vetëm militantëve që paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë, duke pretenduar se në territor ka edhe persona që, sipas tij, “nuk meritojnë të jetojnë”.
Ben-Gvir, i cili drejton partinë e ekstremit të djathtë Otzma Yehudit, tha gjithashtu se nuk pajtohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me mënyrën se si duhet të veprohet në Gaza.
Deklaratat janë kritikuar nga zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, i cili i dënoi publikisht ato dhe tha se deklarata të tilla duhet të ruhen si dëshmi për procese të mundshme gjyqësore në të ardhmen.
Deklaratat e ministrit izraelit vijnë në një moment kur po zhvillohen përpjekje diplomatike për përcaktimin e së ardhmes së Gazës. I dërguari amerikan Jared Kushner ka zhvilluar takime në Egjipt me presidentin Abdel Fattah al-Sissi dhe përfaqësues të Hamasit, ndërsa pritet të zhvillojë bisedime edhe me Netanyahun në Izrael.
Në takimet për të ardhmen e territorit pritet të përfshihen edhe ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe Nickolay Mladenov, përfaqësues i lartë për Gazën në bordin e Trumpit për Paqen.
