Skandal në ekskursionin në Montekarlo? Drejtoresha në kazino, nxënësit e presin në korridor, reagon LSDM

Partia opozitare maqedonase, LSDM, ka akuzuar drejtuesit e Qendrës Rajonale për Arsim dhe Aftësim Profesional „Gjorgji Naumov“ në Manastir se kanë luajtur bixhoz në një kazino gjatë një ekskursioni shkollor në Monte Karlo.

Sipas anëtarit të Komisionit për Arsim dhe Shkencë të LSDM-së, Jovançe Manaskov, drejtoresha Zhaneta Servini dhe zëvendësdrejtori Lupço Zdravkovski dyshohet se kanë luajtur në makinat elektronike të fatit, ndërsa nxënësit e mitur i kanë pritur në holl.

Manaskov deklaroi se partia posedon fotografi dhe video që, sipas tij, dëshmojnë për rastin.

Nga LSDM kërkojnë që ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, të kryejë menjëherë mbikëqyrje dhe të nisë procedura për përcaktimin e përgjegjësisë ndaj personave të përfshirë.