Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka publikuar dokumente që, sipas partisë, tregojnë një lidhje pronësore ndërmjet ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe drejtorit të NOMAGAS-it, Nedim Rama.
Sipas dokumenteve të prezantuara, të dhënat e Kadastrës tregojnë se të dy emrat lidhen me një parcelë në zonën kadastrale Lisec-Vongrad. BDI pretendon se për të njëjtën parcelë ekziston edhe një fletë për parashënim ndërtimi, ku figuron Visar Ganiu, ndërsa në të janë evidentuar shtatë objekte me destinim shtëpi vikendi.
Nga partia opozitare ngrihen disa pyetje lidhur me origjinën e investimit, deklarimin e pronave dhe marrëdhëniet e mundshme biznesore mes personave të përfshirë.
BDI u ka bërë thirrje institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Policinë Financiare, Drejtorinë e të Hyrave Publike dhe Prokurorinë Publike, që të shqyrtojnë rastin dhe të verifikojnë të gjitha pretendimet e paraqitura.
BDI me reagim:
SKANDAL:
Katastëri zbulon lidhjen pronësore mes Visar Ganiut dhe Nedim Ramës – shtatë objekte vikend në të njëjtën parcelë
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) publikon sot dokumente zyrtare nga Agjencia e Kadastrës që hapin dyshime serioze për marrëdhëniet pronësore dhe biznesore mes ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe drejtorit aktual të NOMAGAS-it, Nedim Rama, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Izet Mexhitit.
Sipas të dhënave zyrtare të Kadastrës:
* Në Fletën Pronësore nr. 730, në Komunën Kadastrale Lisec-Vongrad, si bartës të së drejtës figurojnë Visar Ganiu dhe Nedim Rama.
* Të dy lidhen me parcelën 1/455, e regjistruar në të njëjtin lokalitet.
* Për të njëjtën parcelë është hapur edhe Fleta për Parashënim të Ndërtimit nr. 1213, ku si bartës i së drejtës figuron Visar Ganiu.
* Në këtë parcelë janë evidentuar shtatë objekte me destinim “A4-3 – shtëpi vikendi”.
Pra, nuk bëhet fjalë për një pronë të zakonshme, por për një kompleks prej disa objekteve vikendi të ndërlidhura me persona që deri dje menaxhonin pushtetin lokal, ndërsa sot drejtojnë institucione strategjike shtetërore.
Këto dokumente ngrenë pyetje legjitime që meritojnë përgjigje publike:
* Kur dhe si është krijuar kjo lidhje pronësore ndërmjet Visar Ganiut dhe Nedim Ramës?
* Me çfarë mjetesh financiare është realizuar ndërtimi i shtatë objekteve vikendi?
* A janë deklaruar këto prona dhe investime në fletët anketuese dhe deklarimet e pasurisë?
* A ekzistojnë marrëdhënie të tjera biznesore mes personave që sot kontrollojnë pozita të rëndësishme publike?
Kjo nuk është çështje politike.
Kjo është çështje e origjinës së pasurisë, transparencës dhe konfliktit të mundshëm të interesit për persona që për vite të tëra kanë administruar buxhete publike dhe sot drejtojnë institucione me rëndësi strategjike për shtetin.
BDI u bën thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Policisë Financiare, Drejtorisë së të Hyrave Publike dhe Prokurorisë Publike që të hetojnë pa vonesë të gjitha rrethanat që lidhen me këtë pronësi të përbashkët dhe me ndërtimin e kompleksit të shtëpive vikendi.
Qytetarët meritojnë përgjigje për një pyetje të thjeshtë:
A fshihet pas partneritetit politik të VLEN-it edhe një partneritet privat dhe biznesor?

