Astrit Iseni merr pjesë në gala mbrëmjen e AARC-së në Nju-Jork

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ishte i ftuar në gala mbrëmjen e organizuar nga Albanian American Relations Council (AARC) në Nju-Jork, ku u mblodhën përfaqësues institucionalë, veprimtarë dhe pjesëtarë të diasporës shqiptare në SHBA.

Gjatë aktivitetit, Iseni zhvilloi takime dhe bashkëbisedime me drejtues të AARC-së, përfaqësues shtetërorë nga Shqipëria, Kosova dhe trevat e tjera shqipfolëse, si dhe me pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Sipas deklarimeve të tij, në fokus të bisedimeve ishte fuqizimi i bashkëpunimit me diasporën, roli i saj dhe thellimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Iseni theksoi gjithashtu rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me bashkëatdhetarët në SHBA dhe mbështetjes së nismave që synojnë forcimin e lidhjeve kulturore, ekonomike dhe institucionale me komunitetin shqiptaro-amerikan.

Gala e AARC-së u zhvillua më 24 shtator në Gotham Hall, Nju-Jork.