Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kërkojnë sqarime nga qeveria për një objekt që po ndërtohet pranë varrezave në Bllacë, duke pretenduar se lidhet me lojëra të fatit.
BDI pyet gjithashtu pse u tërhoq ligji për largimin e lojërave të fatit nga afërsia e shkollave.
“Nëse konfirmohet se aty po ndërtohet objekt për veprimtari të lojërave të fatit, atëherë kemi të bëjmë me një nga vendimet më të papërgjegjshme dhe më fyese ndaj ndjenjave të qytetarëve. Varrezat nuk janë vend për kazino.
Varrezat nuk janë zonë për bixhoz. Varrezat nuk janë hapësirë për fitim komercial. Prandaj kërkojmë menjëherë: Të publikohet destinimi real i objektit dhe gjithë dokumentacioni përkatës. Të ndalen punimet deri në sqarimin e plotë të rastit. Të hetohet se si është lejuar një veprimtari e tillë pranë varrezave. Të respektohet vullneti dhe ndjeshmëria e qytetarëve të kësaj zone. Dhe në fund, si shtesë e domosdoshme: qytetarët kanë të drejtë të dinë pse kjo qeveri tërhoqi edhe ligjin me të cilin premtonte largimin e lojërave të fatit nga afërsia e shkollave dhe zonave të ndjeshme”, thonë nga BDI.
