Telemjekësia pritet të bëhet një nga shtyllat kryesore për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend, duke ndihmuar edhe në tejkalimin e mungesës së mjekëve, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
“Sot kemi një numër të madh mjekësh në diasporë që janë specialistë shumë të mirë, performojnë në nivele të larta dhe janë të respektuar në vendet ku punojnë. Ne nuk duam që ky kapacitet njerëzor të mbetet i pashfrytëzuar”, deklaroi ministri Aliu.
Sipas tij, përmes telemjekësisë, mjekët nga diaspora do të kenë mundësi të kontribuojnë drejtpërdrejt ose nga distanca në sistemin shëndetësor të Maqedonisë së Veriut.
“Projekti tashmë ka hyrë në fazën fillestare të zbatimit. Telemjekësia është pilotuar në dy qytete, në Dibër dhe në Dellçevë, ku shërbimet shëndetësore ofrohen nga distanca nga kryeqyteti, Shkupi”, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Aliu bëri të ditur se projekti do të zhvillohet në disa faza, duke përfshirë standardizimin e procedurave dhe më pas zgjerimin e sistemit për të përfshirë edhe mjekët që punojnë jashtë vendit.
“Projekti tashmë ka hyrë në fazën fillestare të zbatimit…”, thuhet më tej, ndërsa në fazën e tretë parashihet edhe zhvillimi i sistemeve digjitale për analiza të avancuara, veçanërisht në radiologji.
Ministri theksoi se telemjekësia do të përmirësojë qasjen në shërbime shëndetësore dhe njëkohësisht do të krijojë bashkëpunim më të fortë me profesionistët jashtë vendit.
