Johnny Depp dyshohet se ka qenë viktimë e një mashtrimi financiar që zgjati më shumë se dy vite, gjatë së cilës nga llogaria e tij bankare u shpenzuan mbi 600 mijë euro.
Sipas autoriteteve hungareze, një 27-vjeçar nga Jordania është arrestuar në Budapest nën dyshimin se kishte vjedhur të dhënat e kartës bankare të aktorit dhe i kishte përdorur ato për blerje online dhe rezervime akomodimi.
Hetuesit po verifikojnë rreth 308 transaksione, me një vlerë totale prej afërsisht 620 mijë eurosh. Rasti u zbulua pasi banka e aktorit identifikoi pagesa të dyshimta dhe njoftoi autoritetet amerikane.
Policia arriti të gjurmonte të dyshuarin përmes adresave IP, email-eve dhe një numri telefoni hungarez të përdorur gjatë transaksioneve. Gjatë bastisjes në banesën e tij u sekuestruan pajisje elektronike dhe substanca që dyshohet se janë narkotike.
Megjithëse i dyshuari mohon akuzat, gjykata ka vendosur masën e paraburgimit, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar se si u siguruan të dhënat e kartës së kreditit të aktorit.
