Një zjarr i madh ka shpërthyer mëngjesin e sotëm në zonën e Vlladajës, në Komunën e Dojranit, ndërsa flakët vazhdojnë të jenë aktive.
Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), zjarri u raportua rreth orës 10:00. Në terren janë angazhuar ekipe zjarrfikëse nga Dojrani dhe Gjevgjelia, të cilat po punojnë për lokalizimin e flakëve. Në vendngjarje ndodhet edhe policia për të siguruar zonën.
Autoritetet bëjnë të ditur se po digjet një sipërfaqe me pyll bredhash, ndërsa era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit në disa drejtime.
Deri tani nuk raportohet që flakët të kenë kaluar në territorin grek, megjithëse vatra e zjarrit ndodhet pranë kufirit. Ngjarja ka tërhequr vëmendje edhe në Greqi, ku mediat lokale kanë raportuar për zjarrin, i cili është i dukshëm nga ana tjetër e kufirit.
