Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të ndërmarrë hapa lidhur me ligjin për Gjykatën Speciale dhe mbështetjen financiare për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka kundërshtuar qëndrimin se për këto çështje duhet pritur prononcimi i Gjykatës Kushtetuese.
“VV, kalkulime po bëni ju. Po thoni se nuk do të jepni mendim për ligjin për Gjykatën Speciale dhe për ndihmën financiare pa folur Gjykata Kushtetuese. Ne po jua heqim këtë kusht. Çfarë mendoni?”, ka shkruar Çitaku.
Ajo e ka cilësuar këtë çështje si një përballje me rëndësi të veçantë, duke kërkuar veprim të menjëhershëm.
“Kjo nuk është koha për taktizime. Koha është për veprim. Tash. Menjëherë. Jo për PDK-në, por për historinë. Për UÇK-në. Për çlirimtarët. Pa hezitim. Pa u ndalur. Deri në fund. Deri në liri”, ka shkruar ajo.
