Vuçiq: Thaçi mund të dënohet vetëm për akuza më të lehta

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, duke pretenduar se aktgjykimi mund të jetë kryesisht lirues.

Sipas Vuçiqit, aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë.

“Kam marrë vesh se shpallja e vendimit për Hashim Thaçin është planifikuar për më 16 shtator dhe, me sa kuptoj, ai do të jetë kryesisht një vendim pafajësie”, ka deklaruar Vuçiq.

Presidenti serb ka pretenduar gjithashtu se Thaçi mund të përballet vetëm me një dënim për akuza më të lehta dhe se masa e dënimit, sipas tij, mund të jetë e tillë që të përkojë me kohën që ai tashmë ka kaluar në paraburgim.

Vuçiq ka folur edhe për interpretimin e përgjegjësisë për krimet e luftës, duke pretenduar se vendet perëndimore po përpiqen ta paraqesin Serbinë si palën e vetme përgjegjëse për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Megjithatë, deklaratat e Vuçiqit janë pretendime dhe nuk përbëjnë parashikim zyrtar të gjykatës. Vendimi përfundimtar për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin i takon trupit gjykues në Hagë dhe pritet të shpallet më 16 shtator.