VLEN publikon dokumentin: “Zyrtarizimi i gjuhës serbe në Kumanovë u bë në kohën e BDI-së”

Koalicioni VLEN ka publikuar një dokument, të cilin e cilëson si dëshmi se zyrtarizimi i përdorimit të gjuhës serbe në Komunën e Kumanovës është bërë më 4 maj 2010, gjatë periudhës kur BDI ishte pjesë e qeverisjes.

Në një konferencë për media, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Granit Osmani, deklaroi se vendimi është marrë nga Këshilli i Komunës së Kumanovës dhe ka mundësuar përdorimin zyrtar të gjuhës serbe në komunikimin institucional lokal.

Sipas tij, ky vendim është miratuar në një periudhë kur përfaqësues të BDI-së kanë qenë pjesë e pushtetit, duke e bërë kështu, siç u shpreh ai, një çështje që sot po trajtohet në mënyrë selektive në debatet politike.

VLEN akuzon BDI-në për qëndrime të dyfishta, duke theksuar se partia që sot kritikon çështjet gjuhësore, në të kaluarën ka mbështetur vendime të ngjashme në nivel komunal.

Sipas tyre, dokumenti i publikuar konfirmon qartë këtë praktikë dhe hedh poshtë, siç thonë, “hipokrizinë politike” të kundërshtarëve.

Debati pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, pas publikimit të këtij materiali nga VLEN.