VLEN: “Për 14 viktimat e Tetovës duhet drejtësi, jo heshtje”

VLEN ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit në rastin e tragjedisë në spitalin modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona.

Nga partia shprehin shqetësim për mënyrën se si, sipas tyre, po trajtohet përgjegjësia penale dhe kërkojnë hetim të pavarur dhe drejtësi të plotë për viktimat dhe familjarët e tyre.

VLEN ka drejtuar kritika ndaj BDI-së dhe Prokurorisë, duke ngritur pyetjen se si është e mundur që, pas një tragjedie me 14 viktima, përgjegjësia të përfundojë te një defekt teknik.

“Si është e mundur që pas 14 jetëve të humbura, në fund të dalë se ‘fajtor’ është kablloja?”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Sipas tyre, mungesa e një përgjegjësie të plotë dhe të paanshme do të përbënte një dështim serioz të sistemit të drejtësisë dhe një riviktimizim të familjeve të viktimave.

VLEN thekson se nuk do të lejojë që tragjedia të harrohet dhe paralajmëron se do të vazhdojë të kërkojë hetim të pavarur, përgjegjësi dhe zbardhjen e plotë të së vërtetës.