Maqedonia e Veriut do të përballet gjatë ditëve në vijim me një valë të fortë të nxehti, ku temperaturat në disa rajone pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, njofton Instituti Hidrometeorologjik.
Sipas parashikimit, moti do të jetë me diell dhe i nxehtë, me vranësira të lehta deri mesatare, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 31 deri në 39 gradë, me kulmin gjatë fundjavës, kur lokalisht priten edhe 40°C.
Temperaturat e larta tashmë kanë ndikuar në rritjen e numrit të intervenimeve të Ndihmës së Shpejtë. Mjeku Rihad Rexhepi tha se më së shumti kërkojnë ndihmë personat me sëmundje kronike, të cilët përballen me ulje të tensionit të gjakut, marramendje, plogështi dhe lodhje.
Ai u bën thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin e gjatë në diell gjatë orëve të mesditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje, të qëndrojnë në ambiente të freskëta ose të klimatizuara dhe, nëse është e mundur, aktivitetet t’i kryejnë në orët e pasdites.
Edhe qytetarët shprehen se temperaturat e larta ua vështirësojnë lëvizjen, por thonë se shpesh janë të detyruar të dalin nga shtëpia për shkak të obligimeve të përditshme.
