Spitali i Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar ka njoftuar se gjatë 3–4 ditëve të fundit është përballur me një fluks të madh pacientësh, pas përhapjes së një epidemie në rajon, e cila dyshohet të jetë e lidhur me ndotjen e ujit.
Sipas njoftimit, në spital janë ekzaminuar rreth 1.000 deri në 1.200 pacientë, të cilët janë paraqitur me simptoma si të vjella, diarre, dhimbje barku, temperaturë të lartë, plogështi dhe shqetësime të tjera gastrointestinale.
Numri më i madh i pacientëve është regjistruar në Repartin e Infektologjisë, Pediatrisë dhe Njësinë e Urgjencës. Spitali njofton se të gjithë pacientëve u është ofruar trajtimi i nevojshëm sipas gjendjes së tyre shëndetësore.
Për shkak të situatës, drejtori i spitalit, Emri Bajrami, ka ndërprerë pushimin vjetor dhe është angazhuar në koordinimin e aktiviteteve, ndërsa është përforcuar edhe stafi mjekësor për t’iu përgjigjur fluksit të pacientëve.
Po ashtu, gjatë ditës është zhvilluar një takim koordinues mes drejtuesve të Spitalit të Gostivarit dhe Qendrës për Shëndet Publik – Tetovë, ku është diskutuar për situatën epidemiologjike dhe masat që po ndërmerren.
Nga Spitali apelojnë që qytetarët të respektojnë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast se shfaqin simptoma.
