Trump: Marrëveshja me Iranin është arritur, “le të rrjedhë nafta”

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje paraprake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit që ka dominuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.

Lajmi u bë publik fillimisht nga kryeministri i Pakistan, Shehbaz Sharif, i cili tha se pas negociatave intensive palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e operacioneve ushtarake dhe se ceremonia zyrtare e nënshkrimit pritet të zhvillohet më 19 qershor në Zvicër.

Më pas, Trump konfirmoi marrëveshjen përmes platformës së tij Truth Social, duke deklaruar se është arritur dakordësia për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare amerikane.

Megjithatë, detajet e plota të marrëveshjes ende nuk janë bërë publike. Sipas raportimeve ndërkombëtare, çështje të rëndësishme, përfshirë programin bërthamor iranian, pritet të diskutohen gjatë një periudhe të mëtejshme negociatash.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më strategjike për transportin global të naftës dhe gazit, ndaj çdo zhvillim që lidhet me rihapjen e saj ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet energjetike botërore.

Ndërkohë, reagimet nga Irani kanë qenë më të rezervuara dhe deri tani nuk ka pasur një konfirmim të plotë zyrtar për të gjitha aspektet e marrëveshjes së shpallur nga SHBA-ja dhe ndërmjetësuesit.