Haxhiu shpall 7 qershorin si datë për zgjedhjet e reja në Kosovë

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, të tretat brenda rreth një viti e gjysmë.

Vendimi erdhi pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike dhe institucioneve përkatëse. “Pasi dëgjova propozimet e partive politike dhe pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbahen më 7 qershor”, tha Haxhiu.

Sipas saj, shumica e partive politike janë pajtuar me këtë datë, ndërsa edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e kishte preferuar të njëjtën, për shkak të kohës së nevojshme për organizimin e procesit.

Zgjedhjet vijnë pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri brenda afatit kushtetues, çka çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe thellimin e krizës politike në vend. Ekspertët vlerësojnë se kjo situatë tregon një krizë institucionale të vazhdueshme, ndërsa mbetet për t’u parë nëse zgjedhjet do të sjellin stabilitet politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *