Tetë persona, përfshirë gjashtë fëmijë, janë gjetur të vdekur në një shtëpi të përfshirë nga zjarri në shtetin amerikan të Miçiganit. Sipas autoriteteve, disa prej viktimave dyshohet se kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur në Grand Haven Township, pranë brigjeve të Liqenit Miçigan, ku zjarrfikësit ndërhynë për të shuar flakët. Gjatë kontrollit të objektit, ata zbuluan trupat e pajetë të tetë personave.
Sipas mediave amerikane, viktimat besohet se i përkisnin së njëjtës familje. Fëmijët ishin nga 5 deri në 15 vjeç, ndërsa dy të rriturit ishin të moshës 40 deri në 50 vjeç. Deri më tani nuk është konfirmuar nëse ata ishin prindërit e fëmijëve.
Autoritetet dyshojnë se viktimat janë vrarë fillimisht, ndërsa më pas shtëpisë i është vënë zjarri për të fshehur gjurmët e krimit.
Hetuesit kanë bërë të ditur se deri tani nuk ka të dhëna që një i dyshuar të jetë ende në arrati, por kanë theksuar se hetimi është në fazat e para.
