Tre të rinj kanë humbur jetën pasi u futën për t’u larë në plazhin Arrabassada në Tarragona të Spanjës, duke tronditur autoritetet lokale, të cilat kanë shpallur ditë zie.
Ngjarja vjen në një moment kur autoritetet spanjolle po raportojnë një rritje shqetësuese të rasteve të mbytjeve. Sipas ekspertëve të sigurisë në ujë, vetëm gjatë 72 orëve të fundit, gjashtë fëmijë kanë humbur jetën në zona të ndryshme të vendit.
Eksperti për parandalimin e mbytjeve, Sebastián Quintana, ka bërë thirrje urgjente për kujdes të shtuar nga prindërit dhe kujdestarët, duke theksuar se mungesa e mbikëqyrjes është shkaku kryesor i këtyre tragjedive.
Ai paralajmëroi se në shumicën dërrmuese të rasteve, fëmijët kanë qenë pa mbikëqyrje në momentin e incidentit dhe se mbytja ndodh shpejt dhe pa zhurmë.
Autoritetet spanjolle kanë përsëritur apelin për kujdes maksimal gjatë sezonit veror, kur plazhet dhe pishinat mbushen me turistë nga e gjithë bota.
