Sulejmani: Për herë të parë kongres për bashkim, jo përçarje

Përfaqësuesi i VLEN-it, Driton Sulejmani, ka deklaruar se 9 maji ishte një ditë historike për skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pasi për herë të parë një kongres partiak u organizua me fokus bashkimin e subjekteve politike shqiptare.

Në emisionin “Pika e Takimit” në Lajm TV, Sulejmani tha se ndryshe nga kongreset e deritanishme që kanë ardhur si pasojë e përçarjeve politike, kongresi i VLEN-it bashkoi pesë struktura politike në një subjekt të vetëm.

Sipas tij, ky bashkim e ka shndërruar VLEN-in në një parti të fuqishme politike.

Ai foli edhe për statutin e ri të partisë, duke theksuar se modeli i funksionimit do të jetë ndryshe nga subjektet tjera politike, pasi për herë të parë do të zbatohet modeli me bashkëkryetarë.

Sulejmani sqaroi se bashkëkryetarët do të ndajnë përgjegjësitë për menaxhimin e partisë, ndërsa organi kryesor vendimmarrës do të jetë presidenca, ku do të përfshihen bashkëkryetarët, sekretari i përgjithshëm dhe dy nënkryetarët e VLEN-it.