Një ngjarje e rëndë është regjistruar më 15.06.2026 në fshatin Jelloc i Epërm, ku në një kanal uji është gjetur pa shenja jete një person.
Sipas njoftimit të SPB Tetovë, rasti është raportuar në orën 12:47, ndërsa menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarët policorë, të cilët kanë konstatuar se bëhet fjalë për N.M. (64) nga fshati Debresh, punonjës në Ndërmarrjen Publike “Komunalec” Gostivar.
Nga të dhënat e para, viktima së bashku me kolegët e tij kishte dalë në terren për pastrimin e një kanali në zonën e ujërave rrjedhëse, ku dyshohet se ka ngecur në një prej kanaleve gjatë punës.
Në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe Njësia Territoriale Kundër Zjarrit nga Gostivari, e cila e ka nxjerrë trupin, ndërsa mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen e tij.
Në terren kanë dalë edhe inspektori i punës, ekipi hetimor i DPB Gostivar si dhe Prokurori Publik. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa po hetohen rrethanat e plota të rastit.
