Me iniciativën e kryetarit të Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, në Çerdhen “Fatosat” janë ndërmarrë dy masa të reja që synojnë përmirësimin e kushteve për fëmijët dhe punonjësit.
Për herë të parë që nga themelimi i institucionit, stafi është pajisur me sigurim shëndetësor, një hap që synon të rrisë sigurinë dhe mbështetjen për punonjësit.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është përgatitja e ushqimit brenda ambienteve të çerdhes. Sipas komunës, kjo do t’u mundësojë fëmijëve vakte të freskëta, të sigurta dhe me cilësi më të lartë.
Kryetari Daut Beqiri u shpreh se këto masa janë pjesë e angazhimit për të rritur standardet e kujdesit ndaj fëmijëve dhe për të përmirësuar kushtet e punës për stafin.
“Në Haraçinë, ndryshimi po ndihet çdo ditë. Fëmijët tanë meritojnë më të mirën”, ka deklaruar ai.
