Tetova rikthen simbolin e saj, fillojnë punimet për Sahat Kullën

Në Tetovë është shënuar fillimi i punimeve për rikthimin e Sahat Kullës, një nga objektet historike më të njohura të qytetit. Për fazën fillestare të projektit janë siguruar rreth 200 mijë euro nga Komuna e Konjës në Turqi, ndërsa pjesa tjetër e financimit pritet të mbulohet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se aktualisht po zhvillohet faza e parë e projektit, që përfshin gërmimin e themeleve në vendin ku dikur ndodhej Sahat Kulla.

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, u shpreh se rikthimi i këtij objekti ka qenë një synim i kahershëm i tij, por që më parë nuk kishte gjetur mbështetjen e nevojshme.

Nga ana tjetër, drejtori i Qendrës për Konservim, Aleksandar Jordanski, sqaroi se objekti daton në gjysmën e dytë të shekullit XVI, rreth viteve 1566–1567, por theksoi se në atë periudhë ka të ngjarë të ketë qenë vetëm një kullë dhe jo një sahat kullë me mekanizëm ore, pasi këto ndërtime u përhapën më vonë, gjatë shekujve XVII dhe XVIII.

Projekti për rindërtimin e Sahat Kullës është hartuar që në vitin 2006, ndërsa tashmë kanë nisur hapat konkretë për realizimin e tij.