Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, në seancën e 112-të, ka miratuar propozimin e kryeministrit Hristijan Mickoski për rikonstruimin e Qeverisë, duke shkarkuar tetë ministra dhe dy zëvendësministra.
Nga detyra janë liruar ministrat e Drejtësisë, Bujqësisë, Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Shëndetësisë, Kulturës dhe Turizmit, Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Vetëqeverisjes Lokale, si dhe ministri pa resor, Shaban Saliu. Po ashtu janë shkarkuar edhe dy zëvendësministra.
Duke arsyetuar vendimin, Mickoski deklaroi se funksionet qeveritare nuk janë privilegj, por përgjegjësi që duhet të justifikohet çdo ditë me rezultate konkrete.
Sipas propozimeve të paraqitura, Jeton Shaqiri pritet të emërohet ministër i Drejtësisë, ndërsa Agon Ferati është propozuar për ministër të Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive. Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë është propozuar Sasho Klekovski, ndërsa janë propozuar edhe emra të tjerë për postet vakante.
Debati në Kuvend për zgjedhjen e përbërjes së re qeveritare po vazhdon.
