Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump që të vazhdojë përpjekjet diplomatike dhe negociatat me Iranin, me qëllim uljen e tensioneve mes dy vendeve.
Gjatë një bisede telefonike, Erdogan shprehu mbështetjen e Ankarasë për përpjekjet për paqe dhe theksoi se duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë diplomatike për zgjidhjen e krizës.
Sipas Presidencës turke, dy liderët diskutuan edhe për situatën në Gaza, marrëdhëniet dypalëshe dhe paktin e mbrojtjes të nënshkruar nga Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani.
Erdogan i tha Trumpit se sulmet izraelite ndaj palestinezëve në Gaza janë intensifikuar në një periudhë kur pritej të niste faza e dytë e planit të paqes të presidentit amerikan.
Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe kufizohet me Iranin, ka bërë vazhdimisht thirrje për dialog dhe për uljen e tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit.
