Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka shprehur rezerva të forta ndaj Propozimligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke vlerësuar se versioni aktual nuk ofron garanci të mjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në vend.
Sipas tij, ligji përmban mangësi të shumta dhe nuk krijon mekanizma të qartë që do të siguronin zbatim të plotë dhe efektiv të parimit të përfaqësimit të drejtë në institucionet shtetërore.
Snopçe theksoi se çështja nuk duhet trajtuar si një procedurë teknike, por si një temë me rëndësi të veçantë kushtetuese dhe politike, që ndikon drejtpërdrejt në pozitën e komuniteteve etnike në vend.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e debatit publik dhe mospërfshirjen e ekspertëve në hartimin e ligjit, duke kërkuar një proces më transparent dhe gjithëpërfshirës.
Deputeti i ASH-së vlerësoi se nevoja për një ligj të tillë është e njohur edhe nga partitë në pushtet, sidomos në kontekstin e integrimit evropian dhe reformave që lidhen me kapitujt 23 dhe 24 të negociatave me Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër, ai shprehu kritika edhe ndaj koalicionit VLEN, për të cilin tha se nuk ka treguar angazhimin e duhur në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve gjatë procesit të përgatitjes së ligjit.
Aleanca për Shqiptarët kërkon rishikimin e tekstit aktual, përfshirjen e mekanizmave të detyrueshëm për zbatim, afate konkrete dhe masa korrigjuese që do të garantonin përfaqësim real dhe të barabartë.
“Ne nuk do të mbështesim zgjidhje që cenojnë të drejtat e fituara dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucione”, ka deklaruar Snopçe.
