RMV dhe Turqia rrisin numrin e lejeve të transportit, rikthehet dialogu pas 12 vitesh

Pas më shumë se një dekade pauzë, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Turqisë kanë mbajtur në Shkup mbledhjen e Komitetit të Përbashkët për Transportin Rrugor, duke rikthyer bashkëpunimin institucional në këtë fushë.

Takimi u zhvillua në Ministrinë e Transportit dhe mblodhi përfaqësues të lartë të të dy vendeve, të cilët diskutuan për sfidat dhe nevojat aktuale të sektorit të transportit, si dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.

Një nga rezultatet kryesore të mbledhjes ishte nënshkrimi i një protokolli të ri, me të cilin rritet numri i lejeve për transport ndërkombëtar. Sipas marrëveshjes, lejet për operacionet me vendet e treta do të rriten nga 1.300 në 1.500, ndërsa lejet e përgjithshme nga 3.150 në 3.500.

Përveç kësaj, të dyja palët u dakorduan për shkëmbimin e 250 lejeve shtesë gjatë vitit 2026, me synimin për të përmbushur kërkesat në rritje të kompanive transportuese dhe për të lehtësuar qarkullimin e mallrave.

Përfaqësuesit e të dy vendeve vlerësuan se ky hap do të ndikojë pozitivisht në forcimin e marrëdhënieve ekonomike, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe përmirësimin e lidhjeve transportuese ndërmjet Shkupit dhe Ankarasë.

Në përfundim të takimit u theksua rëndësia e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit, me synimin për zhvillimin e një sistemi transporti më modern, më efikas dhe më të qëndrueshëm.