Një situatë e pazakontë ka tronditur opinionin sportiv në Maqedoninë e Veriut. Në fshatin Ularcë të Koçanit, një klub futbolli që po përgatitej për sezonin e ri ka mbetur pa stadium, pasi fusha ku zhvilloheshin ndeshjet prej afro 80 vitesh është shndërruar në një arë të mbjellë me grurë.
Drejtuesit e klubit dhe banorët e zonës janë përballur me një pamje krejtësisht të papritur. Aty ku dikur ndodheshin portat dhe vijat e bardha të fushës, sot shtrihet një sipërfaqe e mbjellë me drithëra, duke e bërë të pamundur zhvillimin e aktiviteteve sportive.
Rasti është raportuar nga televizioni lokal “M-Net”, ndërsa ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik. Shumë qytetarë kanë ngritur pikëpyetje lidhur me statusin e pronësisë së tokës dhe mënyrën se si është lejuar ndryshimi i destinimit të një hapësire që për dekada ka shërbyer si terren sportiv.
Për momentin, klubi mbetet në kërkim të një zgjidhjeje për të zhvilluar ndeshjet e sezonit të ri, ndërsa e ardhmja e stadiumit historik të fshatit vazhdon të mbetet e paqartë.
