Erdoğan kritikon ashpër OKB-në: “Nuk po arrin të përmbushë misionin e saj”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka kritikuar rolin e Kombeve të Bashkuara gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme në Nju Jork.

Erdoğan tha se OKB-ja është dobësuar dhe se struktura aktuale e Këshillit të Sigurimit po e pengon organizatën të përmbushë misionin e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Ai kërkoi gjithashtu reforma në sistemin e OKB-së.

Një pjesë të rëndësishme të fjalimit ai ia kushtoi situatës në Gaza dhe çështjes palestineze, duke kritikuar komunitetin ndërkombëtar për atë që e konsideron mungesë veprimi.

Erdoğan përmendi edhe Palestinën, Libanin dhe Sudanin, duke deklaruar se njerëzit në këto vende janë zhgënjyer nga reagimi i OKB-së.

Ai përdori gjithashtu gjuhë të ashpër për situatën në Gaza, duke folur për një “mentalitet gjenocidal” dhe duke kërkuar më shumë presion ndërkombëtar për t’i dhënë fund krizës humanitare.